Liqeni i Ujmanit / Gazivodës

Liqeni i Ujmanit, i njohur edhe si Gazivoda, është një ndër asetet më rëndësishme ujore në Kosovë dhe një pikë kyçe në marrëdhëniet  mes Kosovës dhe Serbisë. I ndërtuar në vitet 1970 mbi lumin Ibër, liqeni sot ka rëndësi të madhe për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe menaxhimin e resurseve natyrore të zonës.

Sipërfaqja e liqenit

- Totali: 9.88 km²

- Kosovë: 7.18 km²

- Serbi: 2.70 km²

Këto të dhëna tregojnë qartë se pjesa më e madhe e liqenit ndodhet brenda territorit të Kosovës, por liqeni mbetet një resurs ndërkufitar, çka e bën menaxhimin e tij të ndjeshëm dhe të rëndësishëm për të dyja palët.

Lumi Ibër - Gjatësia e lumit: 45.60 km. Ky lum është baza e formimit të liqenit dhe furnizon një pjesë të madhe të infrastrukturës ujore që lidhet me Ujmanin. 

Pellgu ujëmbledhës – Sipërfaqja totale e pellgut që ushqen liqenin është 1034.81 km², e shpërndarë në tre shtete:

- Kosovë: 128.80 km²

- Serbi: 571.10 km²

- Mali i Zi: 334.91 km²

Kjo strukturë e bën pellgun ujëmbledhës të Ujmanit një zonë rajonale me ndikim të gjerë ekologjik, ekonomik dhe hidrologjik.

Menaxhimi i Ujmanit paraqet problem të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të statusit politik, rëndësisë ekonomike dhe natyrës ndërkufitare të liqenit. Mospërputhjet juridike mbi pronësinë dhe përdorimin e ujit krijojnë pasiguri dhe pengojnë marrëveshje praktike. Furnizimi me ujë, energjia dhe bujqësia varen nga liqeni, ndaj mungesa e koordinimit rrit rrezikun gjatë thatësirave apo prurjeve të larta.

Leutrim Krasniqi