Harta Pedologjike e Kosovës
Harta pedologjike e Kosovës paraqet shtrirjen hapësinore të tipeve kryesore të tokave, të klasifikuara në bazë të karakteristikave morfologjike, fiziko-kimike dhe gjenetike të tyre. Klasifikimi i tokave është realizuar duke marrë parasysh faktorët kryesorë të formimit të tokës, si litologjia, relievi, klima, hidrografia dhe mbulesa bimore, të cilët përcaktojnë diversitetin pedologjik të territorit të Kosovës.
Në zonat fushore dhe përgjatë luginave lumore dominojnë tokat aluviale dhe deluviale, të karakterizuara nga përmbajtje e lartë e materialit të imët, pjelleshmëri relativisht e mirë dhe potencial i lartë bujqësor.
Zonat kodrinore-malore përfaqësohen kryesisht nga toka livadhore, smonica, pseudoglej dhe rendzina, të zhvilluara nën kushte të ndryshme drenazhimi dhe mbi substrate karbonatike apo silikate.
Në zonat malore dhe në terrene me pjerrësi të theksuar paraqiten toka të cekëta dhe të dobëta pedogjenetikisht, si rankerët dhe litosolet, si dhe tokat e murrme në shtresa kompakte. Këto toka karakterizohen nga trashësi e kufizuar e profilit, përmbajtje e lartë e skeletit dhe potencial i kufizuar për shfrytëzim intensiv bujqësor.
Leutrim Krasniqi
